Zhvillohet seminari me Përgjegjësit e Turnit të Patrullave të DVP Pilot të Elbasanit. – Programi SCPA

Zhvillohet seminari me Përgjegjësit e Turnit të Patrullave të DVP Pilot të Elbasanit.

Në datat 29,30 dhe 31 Mars 2021, u zhvillua seminari me Përgjegjësit e Turnit të Patrullave të DVP Pilot të Elbasanit. Seminari u mbajt në sallën e mbledhjeve të DVP Elbasan duke zbatuar me rigorozitet masat e mbrojtjes kundër Covid-19.

Në këtë seminar morën pjesë specialistët e rendit publik të komisariatit të Elbasanit, Cërrikut, Peqinit Gramshit si dhe të postave policore të Belshit dhe Përrenjasit, të cilët kryejnë funksionet e përgjegjësve të turnit dhe drejtuesve të patrullave të përgjithshme. Në takim morën pjese dhe drejtori i Kolegjit Policor në Akademinë e Sigurisë , Shefi i Sektorit të Burimeve Njerëzore të DVP Elbasan si dhe Shefi i sektorit të rendit të DVP Elbasan. Nga SCPA morën pjesë këshilltari policor i programit, eksperti vendor dhe koordinatori i SCPA.

Zhvillimi i këtij seminari u be në kuadër të procesit të konsolidimit të ndryshimeve në DVP Pilot të Elbasanit dhe vjen si vazhdim logjik i punës për mbështetjen e strukturave të tjera vendore të policisë.

Objektivi i seminarit ishte forcimi i këtij roli sa u takon detyrave që mbart ky funksion dhe konsolidimin e zbatimit të tyre në praktikë.

Këto grup seminaresh do të synojnë:

të rrisin kuptimin e kompetencave profesionale të Përgjegjësve të Turnit të Patrullës;
të identifikojnë e forcojnë aftësitë e tyre individualëve;
të konsolidojnë më tej njohjen e detyrave të kësaj strukture;
të identifikojnë format e mbështetjes për oficeres e patrullës së policisë në raste emergjente si dhe
marrjen e përgjegjësive menaxheriale gjatë një veprimi policor kompleks.

Albanian