Zhvillohet Gara e Flamurit Prizren-Vlore. – Programi SCPA

Zhvillohet Gara e Flamurit Prizren-Vlore.

Në datën 27-29 nëntor 2021 Klubi Kombëtar ” Auto Moto Touring” Kosovë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Rrugore të PSh dhe programin SCPA organizoi një aktivitet sportiv që kishte si qëllim garën sportive mes drejtuesve të automjeteve bazuar në saktësinë e të drejtuarit të automjeteve në kushtet e trafikut normal sipas normave të sjelljes, duke respektuar të gjithë rregullat e qarkullimit rrugor.
“Zbato rregullat e qarkullimit, për një destinacion të sigurt”, ishte motoja e aktivitetit sportiv automobilistik “Gara e Flamurit”, me nisje nga Prizreni dhe mbërritje në Vlorë.
Kompania GBi-Health & Safety Academy gjithashtu iu bashkua këtij aktiviteti me pajisjet simulatore dhe me trajnerët e saj, të cilët organizuan një seancë trajnimi mbi drejtimin e sigurt të mjetit.
Në fokus të aktivitetit ishin zbatimi i sinjalistikës rrugore dhe vendosja e rripit të sigurimit, kombinimi mes autosportit, njohurive turistike dhe përmirësimi i aftësive drejtuese, eliminimi i veseve të këqija gjatë drejtimit të mjetit, si dhe përfitimi i njohurive në fushën e sigurisë rrugore.
Aktivitetin e përshëndetën nga afër Drejtori i Policisë Rrugore Z. Altin Qato dhe Drejtori i EMP i Programit Suedez për Policimin në Komunitet, z. Ansi Shundi, të cilët dhanë mesazhe ndërgjegjësimi për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Aktiviteti u mbyll me testimin e garuesve, përsa i përket shkathtësisë dhe saktësisë në poligonin përkatës pranë Lungomares në Vlorë.

Albanian