Takime vlerësuese ne Komisariatet e DVP Elbasan – Programi SCPA

Takime vlerësuese ne Komisariatet e DVP Elbasan

Në kuadër të ciklit të takimeve informuese dhe vlerësuese për impaktin e ndryshimeve të kryera në DVP Pilot Elbasan, në datat 04, 11, dhe 18 Qershor 2021, Ekipi i SCPA organizoi disa takime në Komisariatin e Elbasanit, Librazhdit Cërrikut dhe Peqinit. Ne këto takime morën pjesë Drejtuesi i Grupit të Projektit për Ndryshimet, në DVP Elbasan, shefat e komisariateve, shefat e rendit, shefat e hetimit të krimit dhe specialistët e sallës së drejtimit dhe komandës të komisariatit të Elbasanit.

Ekipi i SCPA përbehej nga Këshilltari Ndërkombëtar Policor pranë SCPA, Eksperti Kombëtar pranë SCPA, Koordinatori i Programit pranë SCPA si dhe Oficerja e Programit.

Takimi synonte të vlerësonte impaktin e ndryshimeve të ndërmarra gjatë gjashtë muajve të fundit në Komisariatet e DVP Elbasan në detyrat e NSPK-ve dhe OPP-ve dhe të analizonte zbatimin e tyre, rezultatet për secilën prej këtyre strukturave, pritshmëritë e strukturave drejtuese dhe të vetë NSPK e OPP nga ndryshimet, si dhe impaktin e mundshëm në raport me komunitetin dhe shtimin potencial të prezencës së NSPK-ve në terren. Diskutimet në takim u orientuan drejt çështjeve si:

lehtësimi i barrës së ngarkesave të NSPK-ve dhe përshtatja e OPP-ve me detyrat e reja,
rritja e prezencës së punonjësve të këtyre strukturave pranë komuniteteve,
rritja e numrit dhe cilësisë së informacioneve të ofruara prej tyre,
si dhe rritja e aftësive parandaluese të tyre.
Sipas pjesëmarrësve në takim, tashmë OPP-të janë bërë të vetëdijshëm se tani e tutje duhet të merren ata me të gjithë procesin e punës gjatë një ndërhyrjeje në vendngjarje.

Gjate takimit u rekomandua ndërmarrja e hapave të qartë lidhur informimin e të gjitha strukturave vendore të Komisariatit dhe DVP-së dhe sidomos lidhur me ndryshimet.

Ekipi gjithashtu sugjeroi qe Salla e Drejtimit dhe Kontrollit të përditësohet dhe të informohet mbi ndryshimet, në mënyrë që gjatë shpërndarjes së informacionit mbi ngjarjet dhe dërgimin në vendngjarje ata të veprojnë në përputhje me përshkrimet e reja të punës për NSPK dhe OPP.

Albanian