Takime pune në komisariatin e Matit, Bulqizës dhe Dibrës. – Programi SCPA

Takime pune në komisariatin e Matit, Bulqizës dhe Dibrës.

Në datat 15-16 Qershor 2021, një ekip i SCPA përbërë nga Këshilltari Ndërkombëtar Policor Z. Ulrich Dugas, Eksperti Kombëtar dhe Koordinatori i programit zhvilluan takime pune në komisariatin e Matit, Bulqizës, Dibrës si dhe postës të policisë të Klosit, Shupenzës dhe Maqellarës.
Gjatë vizitave në secilin prej komisariateve dhe postave te policisë të sipërpërmendura, ekipi u takua me shefat e Komisariateve dhe postave të Policisë si dhe shefat e rendit publik, shefat e hetimit të krimit, përgjegjësit e sallës së drejtimit dhe komandës si dhe përgjegjësit e turnit të patrullës së përgjithshme.
Gjatë këtyre takimeve ekipi i SCPA u informua mbi gjendjen reale të strukturave të komisariateve, të gjendjes faktike të personelit, të situatës logjistike, veçanërisht të mjeteve motorike në dispozicion, të infrastrukturës së zyrave të NSPK/SPZ-ve në zonat rurale, pajisjet kompjuterike dhe aksesin ne rrjetin online intranet te policisë se shtetitr etj.
Më pas, diskutimet u fokusuan në shpjegimin e ndryshimeve që do të fillojnë të zbatohen tashmë pas hyrjes në fuqi të përshkrimeve të reja të punës për OPP-të dhe NSPK-të si dhe në detyrat e angazhimet e reja që këto ndryshime do të sjellin jo vetëm për këto struktura por të gjithë sistemin e organizimit të punës në komisariat. Nga ana e SCPA, u këshillua që niveli drejtues i komisariateve duhet të gjejnë zgjidhje sa më të përshtatshme për rrethanat dhe kushtet e secilit komisariat me qellim zbatimin sa më efikas të planit të zbatimit të ndryshimeve. Një vend të veçante zuri dhe diskutimi rreth formateve të raportimeve dhe zbatimit të afateve kohore të raportimit
Në fund te gjitha takimeve ekipi u takua me zëvendës drejtorin e DVP Kukës Z. Gani Zeneli, i cili është njëkohësisht dhe drejtuesi i projektit të ndryshimeve për DVP Dibër. Në këtë takim u shkëmbyen mendimet për organizimin sa më të mirë të punës së Grupit të Projektit të Ndryshimeve dhe hartimin e planit të zbatimit të këtij projekti si dhe përgatitjes së raporteve të monitorimit dhe vlerësimit.

Albanian