Seminar me drejtorët e DVP-ve të zonës së veriut. – Programi SCPA

Seminar me drejtorët e DVP-ve të zonës së veriut.

Në zbatim të Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm Nr. 395, dt. 5 maj 2021, “Për implementimin e ndryshimeve të reja për funksionet e NSPK-ve, OPP-ve dhe Sallës së Drejtimit dhe Komandimit në nivel DVP”, dhe në përputhje me planet e punës së SCPA, në datën 12 maj 2021 u mbajt në DVP Lezhë takimi i parë me pjesëmarrjen e drejtorëve dhe nën-drejtorëve të DVP-ve Lezhë, Kukës, Dibër dhe Shkodër. Në këtë takim të parë informues në formë seminari morën pjesë edhe përfaqësuesit e Programit SCPA.
Shefi i Sektorit të Policimit në Komunitet, në DPPSh, pasi falënderoi Programin Suedez për mbështetjen e vazhdueshme për reformat me fokus policimin në komunitet, u paraqiti pjesëmarrësve një përmbledhje të procesit të ndryshimeve të realizuara në DVP Pilot të Elbasanit.
Ai u ndal në shpjegimin e ndryshimeve të zbatuara me hyrjen në fuqi të përshkrimeve të reja të punës për Oficerët e Patrullës së Përgjithshme (OPP) dhe Ndihmës-Specialistët e Policimit në Komunitet (NSPK), si dhe në detyrat e angazhimet e reja që këto ndryshime kanë sjellë jo vetëm për këto struktura por edhe për të gjithë zinxhirin e komandës.
Në vijim, Këshilltari Ndërkombëtar Policor i SCPA, paraqiti një pasqyrë të eksperiencës së DVP Elbasan. Më pas ai u ndal në veçanti tek parakushtet për një zbatim të suksesshëm të ndryshimeve duke renditur: ngritjen e Grupit të Projektit për ndryshimet për çdo DVP, hartimin e udhëzimit të brendshëm, rolin e strukturave drejtuese në procesin e ndryshimeve (në veçanti i Zv. Drejtorëve të DVP-ve përkatës për Rendin Publik dhe PK), rëndësinë e ndërtimit të një fryme ekipi për ndryshimet, organizimin e takimeve periodike për vlerësimin e sfidave gjatë zbatimit të tyre si dhe monitorimin e zbatimit të detyrave.
Pjesëmarrësit diskutuan në mënyrë konstruktive dhe intensive lidhur me hapat më efikase që do të ndërmerren në vijim, organizimin e punës dhe planin e implementimit të ndryshimeve. Ky takim do të pasohet nga një sërë takimesh në të gjitha DVP-të

Albanian