Takimi i Parë i Komitetit Drejtues të Programit SACP – Programi SCPA

Takimi i Parë i Komitetit Drejtues të Programit SACP

Me datë  15.02.2018  u zhvillua takimi i Parë i Komitetit Drejtues të Programit SCPA; “Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri”, në sallën e mbledhjeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Të pranishëm në këtë takim ishin Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ardi Veliu dhe Zëvendës Ministrja e Brendshme Znj. Romina Kuko.

Ambasada Suedeze u përfaqësua me Shefen e Bashkëpunimit për Zhvillim, Znj. Birgitta Jansson dhe Znj. Linda Gjermani Oficere Programi.

Morën pjesë gjithashtu me cilësinë e anëtarit të KDP Drejtori Akademisë së Sigurisë, Drejtoresha e Shoqatës së Autonomisë Vendore , Drejtori i AMSHC, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetit dhe Mbrojtjes Sociale si dhe të Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në fjalën e tij shprehu falënderimet për mbështetjen që Ambasada dhe Qeveria Suedeze ka dhënë përmes Programit të Forcimit të Policimit në Komunitet dhe siguroi angazhimin maksimal nga Policia e Shtetit në  zbatimin në tij në bashkëpunim me Ekipin e Menaxhimit të Programit.

Zv. Ministrja e Brendshme Znj. Kuko në fjalën e saj përshëndetëse vlerësoi se ky program nuk i përket vetëm Policisë por ai ka të bëjë gjithashtu me pjesën e Pushtetit Vendor dhe me angazhimin e shoqërisë civile.

Shefja e Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën  e Suedisë, Znj. Jansson u shpreh optimiste për rezultatet e këtij programi, sipas të cilës projekti pilot mund të aplikohet në vende të ndryshme të Shqipërisë. Ne fjalën e saj ajo theksoi se Qeveria Suedeze është e fokusuar në ndërtimin e kapaciteteve për të rritur besimin edhe për t’i treguar komunitetit fytyrën e re të Policimit në Komunitet”.

Drejtuesi i Ekipit të Menaxhimit të Programit Z Ansi Shundi, relatoi mbi përmbajtjen e raportit fillestar duke vlerësuar rëndësinë e programit mbi qasjen e filozofisë se Policimit ne Komunitet qe duhet të zbatohet nga e gjithë struktura policisë. Me pas, u paraqit në mënyrë të përmbledhur plani i punës se aktiviteteve me buxhetin përkatës. Plani i punës do të përfshijë tre shtyllat kryesore të ndërhyrjes së programit dhe do të mbështet në mënyre horizontale nga një skeme grantesh  për arritjen e suksesit final:

  • Aktivitetet e lidhura me shtyllën e parë synojnë dhënien e ndihmës për identifikimin e një modeli shqiptar të Policimit në Komunitet, duke marrë elemente nga vendet e tjera dhe duke i përshtatur ato me specifikat e vendit dhe të shoqërisë sonë.
  • Ne grupin e aktiviteteve të shtyllës së dytë, është filluar aktualisht puna për vlerësimin e zbatimit të strategjisë ekzistuese të Policimit në Komunitet dhe hartimin e dokumentit të ri strategjik. Ky dokument do të udhëheqë punën e Policisë së Shtetit për 4 vitet në vijim në këtë fushë. Një tjetër fushë ku shihet një interes për të përmirësuar punën, janë ngritja dhe funksionimi i Këshillave Vendorë për Siguri Publike.
  • Në shtyllën e tretë, pjesa e dhunës në familje, parandalimi dhe ndërgjegjësimi për fenomenin, janë një aktivitet konstant i policisë dhe këtu pritet të ndërtohet një bashkëpunim efektiv.

Vëmendje do t’i kushtohet edhe përdorimit të rrjeteve sociale për t’u përshtatur me trendet e reja të komunikimit. Rivitalizimi i “policit virtual” është një projekt i rëndësishëm për programin.

Gjithashtu do të përdoret skema e granteve për të rritur bashkëveprimin me komunitetin vendor dhe për të nxitur partneritetet me organizatën e policisë. Ashtu si edhe në të shkuarën, EMP merr përsipër të angazhohet totalisht për të siguruar mirëfunksionimin e projekteve dhe zhvillimin e aktiviteteve”.

Ne fund  KDP miratoi raportin fillestar me anekset përkatëse.

Albanian