Mbahet mbledhja e parë e grupit të punës të projektit të ndryshimeve në DVP Shkodër. – Programi SCPA

Mbahet mbledhja e parë e grupit të punës të projektit të ndryshimeve në DVP Shkodër.

Me datë 14 Qershor 2021, u zhvillua mbledhja e parë e grupit të punës të projektit të ndryshimeve në DVP Shkodër. Mbledhja u mbajt në sallën e mbledhjeve të DVP Shkodër ku ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e grupit të punës konkretisht: shefat komisariateve të Malësisë së Madhe, Shkodrës, Vaut të Dejës dhe Pukës, shefi i sektorit të rendit të DVP Shkodër, Shefi i Sektorit të Analizës Strategjike, Monitorimit dhe Vlerësimit të DVP Shkodër, shefi i sektorit të burimeve njerëzore, shefi i sektorit të Drejtimit dhe Komandës, shefat e hetimit të krimeve si dhe shefat e seksioneve të policimit në komunitet. Programi SCPA u përfaqësua nga Eksperti Kombëtar dhe Koordinatori i programit.
Takimi filloi me një fjalë hyrëse të Z. Dashamir Spaho, Zëvendës Drejtori i DVP Shkodër për Rendin Publik dhe Policimin në Komunitet me cilësinë e drejtuesit te grupit të Projektit te ndryshimeve, i cili komunikoi agjendën e mbledhjes duke deklaruar rëndësinë e projektit të ndryshimeve. Ai siguroi të gjithë pjesëmarrësit për gatishmërinë për të filluar zbatimin në terren të ndryshimeve dhe nxiti të gjithë stafin e nivelit të parë dhe të dytë drejtues për t’i zbatuar ato.
Ai theksoi se policimi në komunitet mund të përmirësohet vetëm nga ndryshimet e ardhshme, veçanërisht nga puna parandaluese e NSPK-ve, nëse ato qëndrojnë më afër dhe më gjatë në zonat e tyre përkatëse Policore.
Me pas ai ftoi të gjithë stafin e lartë drejtues që morri pjesë në takim të shprehnin mendimin e tyre dhe paraqiti një seri pyetjesh që duheshin marrë në konsideratë, të tilla si:
A ishte optimale ndarja në Zona të Policisë dhe si mund te përmirësohet bashkëpunimi mes strukturave?
A është numri i NSPK-ve i mjaftueshëm për të gjitha Zonat e Policisë të DVP Shkodër?
Si mund të zbatohet konkretisht projekti në komisariatet te tyre?
Përfaqësuesit e SCPA theksuan se procesi nuk duhet të shihet si ndryshime rrënjësore, por si zbatim i detyrave të NSPK-ve dhe OPP-ve sipas përshkrimeve të tyre të aprovuara të punës (të fillimit të vitit 2020).
Z. Spaho, informoi te pranishmit se po përgatitet një plan i detajuar zbatimi me afate kohore dhe persona përgjegjës për zbatimin dhe raportimin e rezultateve. Gjithashtu, ai u kërkoi të gjithë pjesëmarrësve të përgatisin dhe informojnë vartësit e tyre rreth procesit.

Albanian