Kryetarët e Bashkive të Qarkut Gjirokastër mblidhen për të rritur sigurinë vendore. – Programi SCPA

Kryetarët e Bashkive të Qarkut Gjirokastër mblidhen për të rritur sigurinë vendore.

Më 21 nëntor 2021, në qytetin e Gjirokastrës u zhvillua takimi rajonal “Rritja e parametrave të sigurisë në komunitet nëpërmjet angazhimit dhe ndërveprimit me komunitetin” ku morën pjesë kryetarët e bashkive të gjithë qarkut, përfaqësues të Drejtorisë Vendore të Policisë së Shtetit, nga Administrata e Shërbimeve Sociale, Arsimit, Shërbimit Shëndetësor, Pyjeve dhe Mjedisit, komunitetet fetare, komuniteti i biznesit, media lokale, grupet vullnetare (të rinj/qytetarë), shoqëria civile etj. Ndërsa nga donatori morën pjesë dy përfaqësuese nga ambasada suedeze znj. Linda Gjermani, Menaxhere Programi dhe znj. Wanja Kaufmann, nga SCPA z. Ansi Shundi, Drejtuesi i Ekipit të Programit dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit z. Eno Gjergjani nga Sektori i Policimit në Komunitet.
Gjatë fjalimeve dhe diskutimeve u evidentua krijimi në të 7 bashkitë e këtij qarku i Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike, si një mekanizëm koordinues, identifikues dhe menaxhues në nivel vendor mbi problematikat që lidhen me sigurinë e komunitetit. Por megjithatë pjesëmarrësit ngritën si shqetësim funksionimi i plotë i Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike (KVSP) duke përmirësuar infrastrukturën ligjore, krijimi i një fondi të veçantë për sigurinë në komunitet dhe fuqizimin e burimeve njerëzore. Me anë të këtij takimi, kryetarët e bashkive ndanë problematikat lokale dhe rajonale si dhe u ndërgjegjësuan edhe më shumë për detyrat që ata kanë për rritjen e sigurisë vendore dhe masat që duhet të marrin për të rritur cilësinë e jetës së qytetarëve të tyre.

Albanian