Fondacioni “EDS”: dhurohen dhjetë biçikleta për DVP Vlorë – Programi SCPA

Fondacioni “EDS”: dhurohen dhjetë biçikleta për DVP Vlorë

Në datë 5 Korrik 2019 në ambientet e DVP Vlorë, Fondacioni “EDS” organizoi ceremoninë e dhurimit të 10 (dhjetë) biçikletave dhe aksesorëve për efektivët e policisë.  Aktiviteti u zhvillua në kuadër të zbatimit të projektit “Fuqizimi i Ndërveprimit të komunitetit me Policinë Vendore” i cili financohet nga Programi Suedez “Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri”. Biçikletat do të përdoren për patrullime përgjatë bregdetit dhe do të shërbejnë për të rritur praninë e forcës policore pranë qytetarëve gjatë sezonit të pushimeve.

Në këtë aktivitet morën pjesë drejtues të DVP Vlorë, përfaqësues të Ambasadës Suedeze, përfaqësues të Programit, si dhe media të ndryshme. Ky dhurim, e çon në 60 numrin total të biçikletave të dhuruara nga Programi Suedez i Policimit në Komunitet për Policinë e Shtetit, të shpërndara në DVP-të Tiranë, Elbasan, Kukës, Durrës, Shkodër dhe Vlorë. Këto aktivitete i shërbejnë përveç të tjerash dhe promovimit të lëvizjes me biçikleta, si mënyra më ekologjike dhe e shëndetshme e transportit në qytet.

Përfaqësuesit e PSH shprehën mirënjohjen e tyre për programin “Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri” dhe për Qeverinë Suedeze për mbështetjen e vazhdueshme që i është ofruar Policisë Shqiptare.

Albanian