Në datën 05.12.2022, në kuadër të Fushatës 16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës me Bazë Gjinore, shoqata “Unë, Gruaja” zhvilloi një aktivitet sensibilizues me nxënësit e shkollës së mesme “Muharrem Çollaku” në Pogradec, me moton “Aktivizohu për t’i dhënë fund Dhunës Ndaj Grave dhe Vajzave”. Në këtë aktivitet morën pjesë nxënës, mësues, punonjësia sociale dhe psikologia e shkollës, Koordinatori i Zyrës për Barazinë Gjinore e Dhunës në Familje pranë bashkisë Pogradec, Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve, Specialisti i Policimit në Komunitet, pranë komisariatit të policisë Pogradec. Diskutimi u përqëndrua kryesisht tek dhuna me bazë gjinore, si ndodh ky fenomen, cilët janë faktorët, format e dhunës si edhe roli që mund të luajë gjithësecili për minimizimin dhe parandalimin e rasteve të dhunës në famijle, shkollë, rrugë e kudo.
Pjesëmarrësit ishin aktivë në diskutim duke folur mbi rastet reale që janë bërë edhe mediatike, si edhe raste të ndodhura në qytetin tonë. Në këtë kuadër u diskutua roli i policisë së shtetit, ku duhet të drejtohen për të raportuar rastet e dhunës dhe sa i rëndësishëm është bashkëpunimi polici-komunitet për të parandaluar dhunën. U shpërndanë një sërë materialesh publicitare, si fletëpalosje, byzlykë e distinktive me mesazhe kundër dhunës dhe me numrat e policisë për të telefonuar në rast nevoje.